Frederic Leighton – Andromaka e Robëruar, ~1886-88

Frederic Leighton (1830-1896) – Andromaka e Robëruar, ~1886-88

(s. guraziu – ars poetica, 2019 – koment, art klasik)
Në “qendrën” pikturale, Andromaka me rroba të zeza, gruaja e kryetrimit të Trojës, gruaja e Hektorit (të vrarë nga Akili). Nga Homeri na thuhet që Akili, në një duel burrëror, i zemëruar dhe si zemërluan që na ishte, e pati vrarë Hektorin, Princin e Trojës. Detaj kyç “iliadesk” ky – mirëpo jo vetëm Hektorin, ç’është e “vërteta” Akili i pati vrarë së paku nja 7-8 djem të Priamit (mbretit të Trojës).

Në “Iliaden”, rreth Luftës… përmenden thjesht një numër i bijve të mbretit Priam, shkurtimisht si luftëtarë e si personazhe në mesin e mbrojtësve të Trojës. Gjithsesi, përveç Hektorit, rreth “temës” së luftës trojane, Akili e pati vrarë dhe vëllain e tij, Troilusin, i pati vrarë edhe vëllëzrit e tjerë Mestorin, Hiponusin, Driopsin, Likaonin, Hipodamin… Supozohet se Priami mitologjik i kishte jo më pak por rreth 100 fëmijë.

Si djem legjitimë të Priamit e të Hekubasë, shkollarët thonë se na janë të njohur 10 prej tyre; Hektori, Parisi, Difobusi, Helenusi, Polidorusi, Troilusi, Politi, Antifusi, Pamoni dhe Hiponusi. Për afro 60 të tjerët mitologjia s’di “aq”, apo dhe asgjë. Ngase dhe sepse duke qenë “fëmijë jashtëmartesor”, jolegjitimë. Disa konkubina të Priamit njiheshin, por mjaft nga fëmijët mund t’kenë ardhur në jetë nga aferat e tij me ndonjë të dashur… të njohur nga askush.

Afërmendsh, në cilësinë e Kryeheroit, mitologjia na e mundëson të “dimë” më shumë për Hektorin, luftëtarin më të madh trojan, djalin e parë të Priamit dhe të Hekubasë. Po ashtu, vëllai i Hektorit, Parisi shfaqet në një numër legjendash. Mbase nga më të “bujshmet” prej tyre ishte rrëmbimi i Helenës së Spartës. Femra më e bukur e Greqisë së lashtë, sipas grekëve “më e bukura” e botës, Helena ishte diç si “miss world” e antikes. Rrëmbimi i saj dhe e pati “shkaktuar” luftën e Trojës…